Në UPZ u mbajt Panairi i Parë i Karrierës
16 Maj 2013
Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, të mërkurën është mbajtur Panairi i Parë i Karrierës, ku kanë marr pjesë dhjetëra biznese nga regjioni i Prizrenit. Ky panair është organizuar në kuadër të Projektit TEMPUS “Përkrahje zhvillimit të qëndrueshëm të strukturave të sigurimit të cilësisë në UPZ”.
Në emër të koordinatorit të projektit, Mjellma Carabregu, zyrtare në “Wus-Kosova”, ka përshëndetur organizimin e këtij panairi duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm. “Jemi shumë të kënaqur që UPZ po organizon këtë panair në mënyrë shumë të shpejt. Gjithashtu po forcon bashkëpunimin me kompanitë e regjionit duke u bërë i hapur ndaj tyre. Kjo tregon që edhe UPZ edhe pse institucion i ri e ka kuptuar rëndësinë që e ka që të diplomuarit tyre të gjejnë sa më shumë punë”, ka theksuar ajo.
Gani Gjini, profesor i Fakultetit Ekonomik në UPZ njëherësh koordinator në këtë projekt, ka thënë se ky panair ofron mundësi të mirë për punëdhënësit të cilët ofrojnë mundësi karriere dhe shanse për punësim për kuadrot që po nxjerr Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, duke theksuar se gjithashtu studentët mund të marrin informacione për punësim në vende të caktuara pune.
Gjithashtu edhe Adem Sallauka, Sekretar i Përgjithshëm në UPZ, përshëndeti organizimin e këtij panairi duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm.
