Në UPZ përkujtohet vepra e Prof. Androkli Kostallarit, gjuhëtar i njohur i gjuhësisë shqiptare
27 Mars 2019
Organizuar nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare të mërkurën u bë përurimi i gjashtë veprave të Prof. Androkli Kostallarit, gjuhëtar i njohur i gjuhësisë shqiptare. Përurimi u bë në UPZ.
Me këtë rast u vlerësua lartë vepra e tij. U theksua se akademik Kostallari është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lartësimin e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e gjuhësisë shqiptare në nivelin e vendeve të tjera, emri i të cilit u bë i njohur edhe jashtë botës shqiptare. .
Me një fjalë rasti konferencën e hapi Dekani i Fakultetit të Filologjisë në UPZ, Prof. asoc. dr. Shkëlqim Millaku, i cili mbajti edhe një kumtesë për “Studimet dhe kontributi i Androkli Kostallarit për kompozitat e gjuhës shqipe”, ndërsa Prof. Prof. dr. Emil Lafe mbajti kumtesën për punën drejtuese të A. Kostallarit për hartimin e veprave normative të gjuhës shqipe. Për përmbajtjen e pesë vëllimeve të korpusit të veprës së Kostallarit foli Prof. ass. dr. Kujtim Kapllani, ndërsa për Konceptet historiko-gjuhësore të Kostallarit dhe kontributi i tij në studimet shqiptare foli Prof. dr. Begzad Baliu. Prof. ass. dr. Flamur Shala mbajti kumtesë për kontributin e Kostallarit për gjuhën letrare sipas disa studiuesve të shqipes, ndërsa për ndihmesat e Kostallarit në lëmin e fjalëformimit foli Prof. ass. dr. Xhafer Beqiraj.
Akademik Kostallari ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. I është dhënë titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor” etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Evropës”.
Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të Prof. Kostallarit përmendim : Fjalor shqip- rusisht, Fjalor rusisht- shqip, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe(1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976). Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: Sur les traits principaux de l' albanais litéraire contemporain"(1966), La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale(1968), Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1968), Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë( 1985); është kryeredaktor i veprës madhore "Fjalor i gjuhës së sotme shqipe"(1980), Fjalor i shqipes së sotme(1984) etj. Është lavdëruar dy herë me Çmimin e Republikës.
Ja seç shkruan gazeta gjashtëmujorëshe arbëreshe 'Lidhja', në numrin 27 (30 maj 1992): "Njerëz si Kostallari, të ditur, të përzemërt, të buzëqeshur, punëshumë, dashamirës të kombit shqiptar, i përkasin pothuaj 'legjendës' së popullit shqiptar, ashtu si Çabej dhe Haxhihasani. Lundrues të guximshëm, shpesh të pakuptuar dhe të izoluar, të cilët, edhe në situata politike dhe historike të vështira, kanë ditur t'i përvishen punës dhe t'i japin prestigj Kombit. Gjuha letrare shqipe e sotme e përdorur prej të gjithëve, popull e studiues, na jep mundësinë që të kuptohemi dhe të komunikojmë qartë dhe shpejt. Pak rëndësi ka se cilat qenë arsyet dhe situata politike që e solli këtë normë. Shqipëria, komb i lirë, demokratik e i pavarur ka një gjuhë letrare të sajën. Arbëreshë, kosovarë, shqiptarë, arvanitas, shqiptarë të diasporës, kudo që jemi, duke folur gjuhën shqipe 'të njësuar', bazuar në parimet dhe kriteret e koduara nga Prof. Androkli Kostallari e të tjerë, ndihemi më shumë shqiptarë dhe fort të bashkuar. Gjuhësia shqiptare humbet një prej specialistëve më të mëdhenj". U nda nga jeta më 22 mars 1992.
