Rektori Vataj i siguroi përfaqësuesit e komunitetit boshnjakë për avancimin e drejtimeve të studimeve në gjuhën boshnjake i
05 Nëntor 2014
Prof. Dr. Ramë Vataj, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të mërkurën ka pritur në një vizitë përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Prizren nga subjekti politik Koalicioni “VAKAT” të cilët i kanë uruar për marrjen në drejtim këtë universitet. Delegacioni ishte në përbërje të Xhezair Murati kryetar i “VAKAT” dhe këshilltar i kryeministrit, Duda Balje, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij subjekti, Usmen Baldzi, zyrtar i këtij subjekti dhe zv. Ministër i MASHT-it dhe zyrtar të tjerë.
Përfaqësuesit e kësaj partie theksuan se komuniteti boshnjak ka kontribuar në bërjen e shtetësisë së Kosovës dhe se është i integruar plotësisht në shoqërinë Kosovare. Ata theksuan se si rektor i këtij Universiteti do ta ketë përkrahjen e tyre në çdo institucion dhe instancë ku kanë ndikim me qëllim që universiteti të zhvillohet në të gjitha aspektet.
Ndërkaq, rektori Vataj i njoftoi përfaqësuesit e komunitetit boshnjak se në vizionin e tij për universitetin, në kuadër të bashkëpunimit kombëtar, e ka paraparë që prioritet për bashkëpunim të kenë edhe shtetet amë të etnive që janë në Prizren që janë pjesë e universitetit, në mesin e tyre edhe boshnjakët, të cilat nuk do të dallohen për nga trajtimi në çdo aspekt, sepse Prizreni është qendër e kulturës, e traditës dhe e tolerancës në mes të grupeve etnike dhe kulturave të ndryshme. Ai theksoi se nëse vlerësohet se ka kuadro dhe kapacitet do të mbështet hapjen e drejtimeve të reja në lëmi përkatëse edhe në gjuhën boshnjake krahas asaj turke.
Rektori Vataj theksoi nevojën që Dega në gjuhën boshnjake në Fakultetin e Edukimit të pasurohet me profesorë të rregullt dhe që të forcohet me kuadro të reja dhe me përgatitje adekuate. #
Prizren, më: 05.11.2014
