Në UPZ u mbajt takimi i dytë në kuadër të projektit të HERAS “Promovimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë në Kosovë”
28 Mars 2018
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të mërkurën është mbajtur takimi i dytë në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit “Promoting International Relations in the Higher Education in Kosovo/Promovimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë në Kosovë”, projekt ndërkombëtar nën programin HERAS “Higher Education Research and Applied Sciences in Kosovo”, që financohet nga Austrian Development Cooperation dhe Republika e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Nga ana e UPZ-së, në takim ishte Prof. Dr. Sejdi Sejdiu. UPZ është përfitues në këtë projekt, bashkë me Universitetin e Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria dhe partnerët e saj – Universitetet Publike në Republikën e Kosovës Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universitetin e shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Një ditë më në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, rektorët e Universiteteve të cekura më lartë dhe përfaqësues të projektit HERSA kanë zhvilluar takimin e parë për fillimin e projektit.
Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj me këtë rast, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan dhe punuan në këtë projekt shumë të rëndësishëm edhe për UPZ-në dhe u zotua se edhe UPZ do të jepë kontributin që të zbatohet projekti në fjalë.
Ndërkaq, Rektori i UKZGJ, Prof. Dr. Bajram Kosumi ka thënë se është kënaqësi që sot po fillojmë një projekt të përbashkët dhe do të punojmë në vazhdimësi që proceset ti qojmë përpara.
Përfaqësuesja e projektit “HERAS”, Arbëresha Meha tha se projekti “Heras” ka për qëllim të kontribuojë në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe zonës Evropiane të Hulumtimeve (ERA) me objektivë afatgjatë për të përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Edhe drejtues të Universitetit të Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria, Ramë Vataj Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Fadil Millaku Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Shaban Buza Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Alush Musaj Rektor i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Bujar Pira prorektor i Universitetit të shkencave të Aplikuara në Ferizaj kanë prezantuar punën dhe të arriturat e Universiteteve që ata drejtojnë.
Me pas puna e takimit është fokusuar në rritjen e kapaciteteve për gjashtë universitetet publikë në Kosovë, se si të ngrisin cilësinë në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke vendosur themelet e krijimit të zyrave funksionale për bashkëpunim ndërkombëtar në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, që njëherësh është edhe qëllimi i projektit.
Duke pasura parasysh se asnjë nga universitetet e reja publike në Kosovë nuk ka kapacitete për të menaxhuar projektet dhe madje asnjëri prej tyre nuk ka krijuar një zyrë të tillë, në një kohë kur mbi 50% e studentëve në institucionet e arsimit të lartë evropian po studiojnë në formën e programeve ndërkombëtare dhe kur një pjesë e rëndësishme e jetës universitare merr pjesë në formën e shkëmbimeve të ndryshme (përmes programeve të tilla si Erasmus +), është shumë e rëndësishme të ndërtohen kapacitetet përkatëse në të gjitha universitetet publike të reja të Kosovës, është thënë mes tjerash në takimin e sotëm të parin mes partnerëve për fillimin e projektit në HERAS
Ndryshe, Projekti “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë” financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim- ADA, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Projekti do të zgjasë tri vjet dhe do t’i kontribuojë zhvillimit të arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
