STUDENTË E PEDAGOGË TË UNIVERSITETIT “UKSHIN HOTI” TË PRIZRENIT VIZITUAN UNIVERSITETIN E KORÇËS “FAN S.NOLI”
08 Mars 2019
STUDENTË E PEDAGOGË TË UNIVERSITETIT “UKSHIN HOTI” TË PRIZRENIT VIZITUAN UNIVERSITETIN E KORÇËS “FAN S.NOLI”
Hapja e shkollave shqipe misioni më i shenjtë kombëtar.
Hapja shkollave shqipe në trojet shqiptare është faqja më e ndritur dhe më e lavdishme e manifestimit të atdhedashurisë dhe e përmbushjes së synimeve për një shkollë shqipe dhe për një arsimi kombëtar.
Në udhën e shkronjave shqipe do të shquhej Shkolla e Parë Shqipe në Korçë.
Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të Rilindjes Kombëtare, për hapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët. Misioni i kësaj shkolle ringjalli shpresat e shqiptarëve dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë.
Në vigjilje të Ditës së Mësuesit, pikërisht më 7 Mars 2019, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit vizituan Universitetin e Korçës “Fan S.Noli”
. Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. asoc. dr. Fahredin Shabani, prof. asoc. dr. Ragip Gjoshi, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit dhe shefi për mësimin në këtë fakultet, PhD. Artan Reshani, së bashku me studentët, u ndalën fillimisht në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë të këtij universiteti, ku zhvilluan një takim në mjediset e Bibliotekës “Kongresi i Manastirit”. Dekani i këtij fakulteti, prof. as. dr. Pavllo Cicko, përshëndeti miqtë nga Prizreni dhe i njohu ata me veprimtarinë që zhvillon Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë . Më pas, profesor Ragip Gjoshi, në emër të Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. asoc. dr. Ismet Temaj, kolegëve dhe studentëve, shprehu falënderimet më të sinqerta për pritjen e organizuar. Ai tha se në kuadër të bashkëpunimit mes dy universiteteve, do të zhvillohen të tjera vizita të ndërsjella e veprimtari të përbashkëta. Pedagogia e Universitetit të Korçës, dr. Adelina Nexhipi, mbajti për të pranishmit leksionin e hapur me temë “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”.
Më pastaj, ky delegacioni ju organizua pritje edhe nga Rektori i Universitetit të Korçës “Fan.S.Noli”, Prof.dr. Ali Jashari. Me këtë rast u nënshkrua një Marrëveshje bashkëpunimi në mes të dy universiteteve. Ndërkaq, ky delegacion një orë historie dhe gjuhësie mbajtën në ambientet e Muzeut të Shkollës së Parë shqipe në Korçë dhe qendrën mesjetare të kulturës dhe arsimit në Vaskopojë.
Gjatë vizitës në Korçë studentët u njohën me historinë dhe kulturën e qytetit dhe rrethinës.
Gëzuar mësimdhënës të dashur!
Prof. Ass. Dr. RAGIP GJOSHI
