Rektori Temaj mori pjesë në Konferencën e Rektorëve
06 Tetor 2020
Forma e mbajtjes së procesit mësimor, miratimi i statuteve të përhershme dhe bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar të martën në kuadër të Konferencës së Rektorëve që u mbajt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof.Asoc.Dr. Ismet Temaj. Me këtë rast, ata uruan rektorin e ri të UP-së, Naser Sahiti, për detyrën e re.
Sa i përket organizimit të mësimit nëpër universitete publike, pati pajtim që mësimi të zhvillohet nëpër salla, përveç në rastet kur detyrohen të organizojnë mësimin online. Rektorët u pajtuan që ligjëratat për vitet e para në universitetet publike të fillojnë më 15 tetor.
Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, njëherësh kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, Bajram Kosumi, tha se çështja më e rëndësishme për ta këto kohë është mënyra e mbajtjes së procesit mësimor. Përkundër që është vendosur që mësimi të mbahet i kombinuar, ai tha se janë duke e diskutuar që mësimi të mbahet në klasa dhe jo online.
<< prapa