Rektori Vataj: Do ta fuqizojë rolin e Senatit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
30 Tetor 2014
Prof. Dr. Ramë Vataj, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten ka mbajtur një takim informues me anëtarët e Senatit të këtij universiteti. Rektori Vataj me këtë rast u zotua se do të fuqizojë rolin e Senatit në Universitet, sidomos rreth zhvillimit dhe zgjerimit me programe të reja në lëmit e caktuara, ku do të ketë rolë vendimtar ky organ vendimmarrës i universitetit. Ai theksoi se do të angazhohet që të zhvillojë programe që janë atraktive dhe që i përshtatet kërkesave dhe specifikave në rajonin e Prizrenit, të cilën e ka paraparë në vizionin e tij për zhvillimin e UPZ-së. Rektori Vataj gjithashtu theksoi se i mirëpret iniciativat nga anëtarët e Senatit dhe nga njësitë akademike të universitetit dhe se do t’i mbështesë. Në këtë kuadër ai potencoi se para çdo vendimi do t’i konsultojë ata dhe pas konsumimit të debatit do të vendos për çdo çështje që është në interes të universitetit.
Ndërkaq, anëtarët e Senatit e uruan rektorin Vataj për marrjen në drejtim të Universitetit dhe e siguruan se do të ketë mbështetjen e tyre të pa rezervë me qëllim që universiteti të qohet përpara dhe të zhvillohet në çdo aspekt.
Ishte kërkesë nga shumica e tyre që projektet që kanë filluar ose që janë në shqyrtim e sipër të përkrahen nga ana e menaxhmentit të ri, për të cilën gjë rektori Vataj i siguroi se do ta kenë mbështetjen nëse gjithçka është komfor legjislacionit përkatës dhe Statutit.
Prizren, më: 30.10.2014
