Rektori Vataj priti në një takim drejtorin e Postës së Kosovës
08 Dhjetor 2014
Prof. Dr. Ramë Vataj, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën ka pritur në një takim drejtorin e Postës së Kosovës, z. Sejdi Hoxha, me bashkëpunëtor.
Temë bosht në këtë takim ishte mundësia e ofrimit të shërbimeve më të lira dhe ofrimi i praktikës për studentë nga ana e Postës së Kosovës.
Drejtori i Postës, Hoxha njoftoi Rektorin Vataj se PK-ja është e licencuar për të ofruar shërbime financiare jo bankare dhe se shërbimi i pagesave nga ana tyre është më i lirë se institucionet bankare. Ai theksoi se deri më tani PK ka lidhur marrëveshje për bashkëpunim me shumë institucione publike dhe se në këtë kuadër janë të interesuar që të bashkëpunojnë edhe me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Hoxha shtoi se Posta e Kosovës është ndërmerrje publike 100 për qind e Kosovës, ku aksionari kryesor është Qeveria e Kosovës.
Rektori Vataj theksoi se mirëpret çdo nismë të Postës së Kosovës për të ofruar shërbime më të lira për studentët e UPZ-së, dhe se në këtë kuadër do të angazhohet që në suaza të ligjit pas konsultimit të Këshillit Drejtues të vendoset për arritjen e bashkëpunimit konkret.
Rektori Vataj kërkoi nga ane drejtorit të Postës që të mundësojnë si ndërmarrje publike mbajtjen e praktikës për studentët e profileve përkatëse të UPZ-së, dhe se kjo pikë të jetë në marrëveshjen e bashkëpunimit.
Drejtori Hoxha theksoi se Posta do të mundësojë tani e tutje mbajtjen e praktikës për studentët e Universitetit “Ukshin Hoti”.
Për bashkëpunimin konkret u dakorduan që të vazhdojnë konsultimet në të ardhmen.
