Në UPZ nisën punën edhe tre drejtime të reja në nivelin Master
15 Dhjetor 2014
Në një ceremoni solemne, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj, të hënën bëri hapjen zyrtare të studimeve në tri drejtime të reja në nivelin Master, në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Shkencave Kompjuterike në këtë Universitet. Rektori Vataj me këtë rast u uroi suksese të gjithë studentëve në nivelin Master dhe theksoi se kjo u realizua falë punës dhe përkushtimit të njësive akademike përkatëse për të cilën kanë dhënë kontribut edhe menaxhmentet e kaluara. “Hapja e këtyre drejtimeve, Master në Shkencat Kompjuterike dhe Teknologjitë e Komunikimit, Master në Kontabilitet dhe Auditim dhe Master në Administrim Biznesi, të cilat janë unike si në vend dhe rajon, shënon një sukses të madh për UPZ-në, duke specializuar kuadro komform kërkesave të tregut të punës dhe nevojave të vendit”, theksoi rektori Vataj me këtë rast. Ai shtoi se është duke punuar së bashku me bashkëpunëtorët e tij në menaxhment dhe dekanët për hapjen e drejtimeve të reja dhe se do të punojnë që të ketë kontinuitet në studime duke ofruar edhe studime të doktoratës në vitet në vijim.
Dekani i Fakultetit të Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Bekim Berisha, theksoi se në vitin jubilar të ekzistimit të Universitetit të Prizrenit "Ukshin Hoti", Fakulteti Ekonomik për herë të parë po organizon studime të ciklit të dytë në dy programe studimore - Master në Administrim Biznesi dhe Master në Kontabilitet dhe Auditim si dhe nga ky vit edhe Master në Trashëgimi Kulturore dhe Turizëm dhe shtoi se në këtë mënyrë ne po e kompletojmë ciklin e studimeve në fakultetin ekonomik. “Nën përkrahjen e plotë të stafit të ri menaxhues të Universitetit, ne po bëjmë përpjekje që studentëve të nivelit master tua mundësojmë përgatitjen e disertacionit të masterit nëpër kompani vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ne e kemi një marrëveshje me Odën Ekonomike të Turqisë, por po përhiqemi që të sigurojmë Marrëveshje edhe me shtete tjera të Evropës dhe SHBA-ve për ti sistemuar studentët nëpër kompani të ndryshme, ku do të mundë ta përfundojnë disertacionin për qëllime praktike. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi ti identifikojmë studentët më të suksesshëm me të cilët pas përfundimit të studimeve do të mund të punojmë në projekte të përbashkëta kërkimore.”, ka theksuar dekani Berisha.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Ass. Dr. Artan Dermaku, theksoi se Drejtimi Master në Shkencat Kompjuterike dhe Teknologjitë e Komunikimit është unik në Kosovë dhe regjion dhe është në përputhshmëri me programet në Bashkimin Evropian. “Ky program i nivelit Master është mundësi e mirë për studentët që kanë kryer studimet themelore në UPZ, në universitetet e Kosovës dhe rajon, pasi që është në përputhshmëri me tregun e punës vendor, të rajonit dhe botës. Sidomos shtetet e BE-së kanë nevojë për ekspertë të tillë”, theksoi Dekani Dermaku dhe shtoi se rektori ka ofruar mbështetje të nevojshme për zhvillim dhe përfundim të suksesshëm të këtyre studimeve.
Prizren, më: 15.12.2014
