Rektori Vataj në Zvicër takohet me udhëheqësin e Asociacionit të 30 universiteteve prestigjioze evropiane
21 Janar 2015
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj, po vazhdon vizitën në universitete të rëndësishme evropiane. Gjatë së martës, Rektori Vataj i shoqëruar nga Agnieska Vojtja nga Universiteti i Konstanz, në Kreuzlingen të Zvicrës ka takuar udhëheqësin e Asociacionit të Universiteteve dhe Shkollave të Larta të Rajonit të Bodense, Stephan Prehn. Asociacion që përbëhet nga 30 Universitete e Shkolla të Larta të katër shteteve: Gjermanisë, Zvicrës dhe Lichtensteinit. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e përkrahjes të UPZ-së nga ky Asociacion, ku u premtua që Universiteti i Prizrenit do të përkrahet përmes projekteve përkatëse. Aty lindi ideja që edhe në Kosovë të themelohet një organizëm i tillë.
Kjo vizitë e Rektorit Vataj në këto Universitete prestigjioze evropiane, është në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Objektiv i Rektorit Vataj është edhe avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mobiliteti i personelit të universitetit dhe studentëve. Rektori Vataj krahas konkretizimit të realizimit të marrëveshjeve të deritanishme me universitetet ndërkombëtare në regjion dhe më gjerë, synon edhe lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me universitetet e ndryshme evropiane.
