Rektori Vataj viziton Universitetin e Leipzig-ut dhe DAAD-në në Gjermani
23 Janar 2015
Prof. Dr. Ramë Vataj, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ka vazhduar edhe të premten vizitën zyrtare nëpër universitetet gjermane. Rektori Vataj është takuar me rektoren e Universitetit të Leipzig-ut, Prof.Dr.med.Beate A.Schücking, i shoqëruar nga Konsulli i nderit i Republikës së Kosovës në Gjermani, Prof. Dr. Stefan Troebst. Gjithashtu rektori Vataj është takuar me udhëheqësen e Programit të DAAD, Prof. Dr. Hey Haëkins e cila bashkëpunon me vendet e Ballkanit Perëndimorë. Në këto takime është diskutuar për bashkëpunimin me UPZ-në në fushat akademike, në veçanti për dërgimin e studentëve të UPZ-së në studimet e nivelit Master dhe të Doktoratës në universitetet gjermane. Udhëheqëset e këtyre dy institucioneve të rëndësishme do të vizitojnë Universitetin e Prizrenit në të ardhmen. Të premten, Rektori Vataj ka përmbyllur vizitën zyrtare mjaft të frytshme në universitetet gjermane dhe me gjerë.
Ndërkaq, të mërkurën Rektori Vataj është takuar me zv. Presidentin e Universitetit të Ulmit në Gjermani, Prof. Dr. Ulrich Stadtmüller dhe me drejtorin për marrëdhënie ndërkombëtare, Dr. Reinhold Lücker.
Ndërsa të martën, Rektori Vataj i shoqëruar nga Agnieska Vojtja nga Universiteti i Konstanz, në Kreuzlingen të Zvicrës ka takuar udhëheqësin e Asociacionit të Universiteteve dhe Shkollave të Larta të Rajonit të Bodense, Stephan Prehn. Asociacion që përbëhet nga 30 Universitete e Shkolla të Larta të katër shteteve: Gjermanisë, Zvicrës dhe Lichtensteinit. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e përkrahjes të UPZ-së nga ky Asociacion, ku u premtua që Universiteti i Prizrenit do të përkrahet përmes projekteve përkatëse. Aty lindi ideja që edhe në Kosovë të themelohet një organizëm i tillë.
Rektori Vataj gjatë ditës së hënë ka takuar Rektorin e Universitetit Konstanz në Gjermani, Prof. Dr. Ulrich Rüdiger, Prof. Dr. Silvia Mergenthal, Prorektore për marrëdhënie ndërkombëtare dhe zonjën Regina Sonntag-Krupp, udhëheqëse e zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare. Në takim është diskutuar mundësia e bashkëpunimit në mes të dy universiteteve në fushat akademike, shkëmbin e studentëve, profesorëve dhe ndihmën e këtij universiteti prestigjioz evropian për zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit të dytë publik në vend, Universitetit të Prizrenit.
Vizita Rektorit Vataj në këto Universitete prestigjioze evropiane, është në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Objektiv i Rektorit Vataj është edhe avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mobiliteti i personelit të universitetit dhe studentëve. Rektori Vataj krahas konkretizimit të realizimit të marrëveshjeve të deritanishme me universitetet ndërkombëtare në regjion dhe më gjerë, synon edhe lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me universitetet e ndryshme evropiane.
Pjesë e delegacionit të UPZ në Gjermani është edhe Prof. Ass. Bashkim Zahiti, profesor në UPZ, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues të UPZ-së, një kuadër që vjen nga universitetet prestigjioze gjermane.

