Profesorë nga Shqipëria mbajtën ligjërata në UPZ – prezent ishte edhe ambasadori Minxhozi
18 Nëntor 2015

Profesorë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës të mërkurën kanë mbajtur ligjërata për studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në kuadër të konkretizimit të bashkëpunimin në mes të dy institucioneve të arsimit të lartë. Prezent më këtë rast ishte edhe Qemal Minxhozi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj i falënderoi për kontributin profesorët nga Shqipëria ndërsa veçanërisht falënderoi ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë për vizitën.
Ambasadori i Shqipërisë, Minxhozi ndërkaq në fjalën e tij theksoi se Kosova nuk mund të konceptohet pa Prizrenin që është qendra e historisë kombëtare shqiptare. “Prizreni ofron mundësi të zhvillimit të agrobiznesit që është i lidhur me turizmin dhe trashëgiminë dhe drejtpërdrejtë me mirëqenien”.
Ligjëratë mbajti Prof. Dr. Bahri Musabelliu Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agobiznesit në UB të Tiranës, i cili njoftoi studentët e UPZ për gjendjen e ekzituese të këtij fakulteti dhe rëndësinë që ka.
Kurse Prof. Dr. Maksim Meço zv.Dekan, mbajti ligjëratë mjaft përmbajtjesore me temën: Agrobiznesit si faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit - në fokus të veçantë Kosovës. Pjesë e delegacionit ishin edhe Prof.Asc.Dr.Ilir Kapaj Udhëheqës i Programit të Doktoratës dhe Prof.Asc.Dr.Remzi Keço mësimdhënës në këtë universitet.
