Urimi i Rektorit Vataj për festën e 28 Nëntorit!
27 Nëntor 2016
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj, uron studentët, stafin akademik dhe administrativ të Universitetit dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e 28 Nëntorit, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe Ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Festa e 28 Nëntorit sivjet është e veçantë ngase për nder të kësaj dite në kampusin e UPZ-së është ngritur shtatorja e intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban me krenari universiteti ynë.
28 Nëntori është datë emblematike në memorien e kombit tonë që përmbledh aspiratat për liri dhe bashkim. Kjo festë na bashkon të gjithë shqiptarëve, nën hijen e flamurit kuq e zi, për të kujtuar rrugën që e kemi kaluar deri më sot, gjakun e dëshmorëve të rënë dhe brezat e tërë që janë sakrifikuar për liri.
Urime Festa e 28 Nëntorit!
Me nderime,
Prof. Dr. Ramë Vataj
Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren
